Rreth Platformës Shqiptare
Misioni
Platforma Shqiptare është një nismë e pavarur qytetare që synon të krijojë një rrjet të gjerë ekspertësh, akademikësh dhe profesionistësh nga fusha të ndryshme, duke e vendosur ekspertizën në shërbim të zhvillimit të vendit. Platforma është një nismë që synon të identifikojë dhe të bëjë bashkë ekspertë, profesionistë dhe qytetarë të angazhuar për të ndërtuar zgjidhje konkrete për sfidat e Shqipërisë.
Në këtë platformë, qytetarët mund të propozojnë ekspertë nga fusha të ndryshme, të ndajnë ide, të diskutojnë problematika dhe të kontribuojnë me zgjidhje për çështje me interes publik. Besojmë se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë, i cili shpesh mbetet i pashfrytëzuar.
Shpesh dëgjojmë të thuhet se Shqipërisë i mungojnë ekspertët për të ndërtuar politika më të mira dhe për të garantuar një qeverisje më cilësore. Ne besojmë të kundërtën. Shqipëria ka shumë profesionistë me integritet, përvojë dhe vizion, të cilët mund të japin një kontribut të vyer në hartimin e politikave publike, zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, teknologjinë, mjedisin dhe çdo fushë tjetër të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Platforma synon të ndërtojë ura bashkëpunimi ndërmjet ekspertizës shqiptare në çdo vend të botës dhe angazhimit qytetar, duke promovuar kulturën e dialogut, inovacionit dhe pjesëmarrjes aktive në proceset e zhvillimit dhe vendimmarrjes, dhe duke promovuar këtë metodë të mirëqeverisjes si model! Besojmë se zgjidhjet më të mira lindin kur ekspertët dhe qytetarët punojnë së bashku, ndajnë njohuritë dhe kontribuojnë në mënyrë të hapur për të mirën e përbashkët.
Nëse njeh një ekspert ose eksperte nga Shqipëria apo diaspora që mendon se mund të kontribuojë me njohuritë dhe përvojën e tij ose të saj për një qeverisje më të mirë dhe për zhvillimin e vendit, propozoje në këtë platformë. Ne do ta kontaktojmë për ta ftuar të bëhet pjesë e këtij rrjeti të ekspertizës dhe të kontribuojë në ndërtimin e ideve dhe zgjidhjeve që i shërbejnë interesit publik.
Kjo platformë e nisur nga ekspertë të pavarur të mirëqeverisjes, në Shqipëri dhe në diasporë, nuk është një parti politike dhe nuk përfaqëson asnjë institucion. Platforma Shqiptare është një hapësirë e pavarur, gjithëpërfshirëse dhe e hapur për çdo ekspert dhe qytetar që dëshiron të kontribuojë me njohuritë, përvojën dhe idetë e tij për ndërtimin e një Shqipërie më të zhvilluar, më demokratike dhe më të drejtë.
Shqipëria ka ekspertët që i duhen, ka idetë, ka edhe zgjidhjet! Le t'i bëjmë bashkë dhe t'u japim mundësinë të kontribuojnë për Shqipërinë që të gjithë meritojmë.
Parimet
Kjo platformë u jep qytetarëve mundësinë të identifikojnë, po aq sa ekspertët, edhe problematikat që hasin në komunitetet e tyre, të propozojnë ide dhe zgjidhje konkrete, si dhe të marrin pjesë në diskutime të hapura mbi çështje me interes publik. Çdo propozim mund të pasurohet përmes kontributit të ekspertëve, duke krijuar një dialog konstruktiv ndërmjet qytetarëve dhe profesionistëve dhe duke nxitur zhvillimin e zgjidhjeve të bazuara në evidencë, përvojë dhe praktika të mira, ashtu siç duhet të jetë një qeverisje e mirë, duke funksionuar si një platformë:
- E pavarur dhe jopartiake.
- E hapur — leximi i lirë për të gjithë, pa llogari.
- Me përgjegjësi — çdo ide dhe propozim nënshkruhet me emrin e vërtetë.
- Me cilësi — ekspertët ndihmojnë që idetë të bëhen të zbatueshme.
- Me respekt — diskutim civil, pa fyerje dhe pa gjuhë urrejtjeje.
Rregullat e komunitetit
- 1.Përdorimi i emrit të vërtetë. Një llogari për person.
- 2.Ndalimi i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve, shpifjeve apo përmbajtjeve të paligjshme.
- 3.Ndalimi i publikimit të të dhënave personale të të tjerëve pa pëlqim.
- 4.Respektimi i qëndrimeve të ndryshme.
Pasojat
Shkelja e rregullave çon në heqjen e llogarisë. Administrata mund të fshijë ide, komente dhe llogari që shkelin këto rregulla.
